BITCOIN mbërin në Gjirokastër - Monedha dixhitale tashmë edhe në ëndrrat e Gjirokastritëve

Pasi kaloi testin e parë në Wall Street, Bitcoin, valuta dixhitale më e madhe dhe më e famshme në botë debutoi në bursa përmes kontratave të së ardhmes, apo siç njihen në botën e financave “futures”, të tregtuara në Bursën e Çikagos.

 

Çmimi i një kontrate Bitcoin per 18 janarin, shkoi nga 15.500 dollarë në mbi 17.800 dollarë, një rritje gati me më shumë se njëzet pikë përqindjeje. Në pak minuta siti Chicago Board Options Exchange u bllokua nga mbingarkesa.

 

“Futures” janë kontrata ku një blerës dhe një shitës bien dakord për çmimin që produkti do të marrë në të ardhmen, ka për të gjitha llojet e lëndëve të para. Duke blerë një “Futures” vihet bast mbi ecurinë e produktit dhe ne këtë rast investitorët bëjnë një parashikim se sa do të jetë vlera e Bitcoin pas disa kohësh.

 

 

Por çfarë është një Bitcoin? 
Bitcoin është një monedhë dixhitale, e gjeneruar përmes një algoritmi kompjuterik, nuk ekziston fizikisht, dhe nuk ka asnjë autoritet qeverisës apo Bankë Qendrore që rregullon funksionimin e Bitcoin-it. Përmes një sistemi të sofistikuar vlera e Bitcoin është përcaktuar nga kërkesë-oferta në llogaritë që mund të hapen në internet, pra praktikisht një treg i parregulluar.

 

Që nga emetimi i parë në rrjet në 2009-n e deri disa vite më pas, me 1 dollarë mund të blije me shumë se 3 bitcoin. Koha kaloi dhe kjo monedhë dixhitale tërhoqi pas vetes mjaft persona që i besuan, si alternativë për të investuar paratë, njësoj sikur të blinin ar apo valutat të tjera reale. Kthesa më e madhe këtë vit, kur vlera e Bitcoin është rritur me më shumë se 1600 %.

 

Por skepticizmi është i madh. Jamie Dimon, drejtor i Jp Morgan, e ka quajtur Bitcoin “një mashtrim të madh, një flluskë të madhe. Edhe çmimi Nobel në ekonomi Joseph Stiglitz, thotë se Bitcoin është një flluske. Kurse Lloyd Blankfein drejtor i Goldman Sachs thotë ende nuk e kam një qëndrim të prerë për këtë çështje.

 

Edhe në Shqiperi ka persona që shesin kundrejt parave cash Bitcoin, të paktën sipas faqes që lokalizon ofertuesit me këtë kripto-valute janë katër persona që shesin Bitcoin, tre në Tiranë dhe një në Gjirokastër.

 

 

“Këto nuk janë investime në tregje të rregulluara dhe për rrjedhojë rreziku është i gjithi tek qytetari ose biznesi që zgjedh të operojë me këto skema”, shprehet Selami Xhepa.

 

“Vetë fakti që nuk kanë një burim të ardhurash, por shërbejnë si një mjet tjetër sigurie, a do investosh në ar apo Bitcoin, apo depozita në valutë, duhet të bëjmë kujdes dhe ato shqiptare që joshen nga këto investime, ka rrezik të bëhen viktima të këtyre inovacioneve teknologjike”, thotë Arben Malaj.

 

Gjithsesi valutat virtuale janë realitet. Rritja e Bitcoin ka tërhequr pas edhe rritjen e monedhave të tjera dixhitale. Duke shfrytëzuar këtë sukses në internet po lulëzon një produkt i ri financiar, të ashtuquajturat ICO, emetimi fillestar te monedhave virtuale.

 

Këto instrumente thithin fonde, para konkrete apo dhe valute dixhitale, kundrejt ofertave për t’u pasuruar në një kohë të shkurtër. Ky është një treg krejtësisht jashtë çdo kontrolli dhe autoriteti i mbikëqyrjes financiare ashtu si institucionet homologe ndërkombëtare bëjnë thirrje per kujdes, pasi kushdo mund të bjerë viktimë e skemave të tilla. Frika është se ky mekanizëm jashtë çdo kontrolli mund të kthehet në një skeme piramidale dhe me marrjen e parave ofruesi mund të zhduket pa gjurmë.

 

“Emetimi i monedhave virtuale të ashtuquajturat ICO, si rregull nuk janë subjekt i ndonjë rregullimi apo liçensimi jo vetëm në Shqipëri, por edhe shtete të tjera të Europës. Në këto kushte investitorët nuk gëzojnë të njëjtin nivel mbrojtës ashtu siç gëzojnë edhe për produktet e tjera të licensuara”, tha Niko Kotokita, Drejtor i mbikëqyrjes së tregut, AMF.

 

Sigurisht, kush investon sot në Bitcoin në Shqipëri, nuk është rishtar në fushën e financës. Por koha ka treguar se viktima të flluskave, kanë rënë jo vetëm individët, por edhe vetë Bankat./topchannel

 

 

 

 

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com