Alarmi për Qumështin Vendas! Ish Ministri i Bujqësisë bën thirrje "Të Hiqet Urgjent nga Tregu!"

Sot ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka ngritur një alarm për qumështin në vend.

Panariti shkruan se sipas një studimi të kryer së fundmi nga AFI, gjysma e mostrave të qumështit që prodhohet në Shqipëri është gjetur aflatoksinë, një substancë kancerogjene me fuqi shumë të lartë.

Statusi i plotë i ish-ministrit në Facebook:

Ose nje megaskandal, ose nje supermashtrim!! Mbetet per tu pare.?! .. Para disa ditesh ne nje studim te AFI, gjysma e mostrave te qumeshtit vendas te analizuara dolen me aflatoksine. Aflatoksina eshte substance kancerogjene e fuqise shume te larte, e pa zberthyeshme dhe rezistente ndaj perpunimit termik.

Prania e saj ne qumesht dhe nenprodukte eshte rrezik shume i madh per shendetin e konsumatorit. MB dhe AKU duhet te bejne urgjent publike fermat apo subjektet prodhuese te ushqimeve te ndotura , te bllokojne prodhimin dhe te terheqin urgjent nga tregu produktet e perlyera.

“Sa me pare dhe menjehere!!! Nderkohe AFI te beje publike rezultatet e analizave, metodat e analizes dhe laboratoret e references qe i kane kryer ato. Nese kjo nuk ndodh atehere prokuroria te nis hetimin e menjëhershëm dhe te percaktoje përgjegjësite ose eventualisht mashtrimin sic ka ndodhur me pare ne dem te prodhuesve vendas, per te favorizuar importet.”

Ndërkohë Ministri aktual i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, ka reaguar në Facebook në lidhje me sigurinë ushqimore, pas denoncimit të ish-ministrit të LSI Edmond Panariti për qumështin me substanca kancerogjene. Panariti tha se nëse provohen analizat e studimit të AFI, atëherë kjo çështje është mjaft serioze, pasi rrezikohet jeta e konsumatorëve.

Nga ana tjetër ministri aktual Peleshi ka paralajmëruar se ashtu sic u bë ndëhyrje radikale me mishin, e njëjta gjë do të bëhet edhe me qumështin.

Pas raportit të shoqatës Albanian Food Industry, ku nga 8 produkte të qumështit dy prej tyre rezultuan me aflatoksinë, Peleshi njoftoi se i është kërkuar institucioneve të verifikojnë situatën e qumështit.

“Sistemi i sigurisë ushqimore në vend nuk ka qënë dhe nuk është perfekt. Pikërisht sepse bëhet fjalë për siguri ushqimore ndërhyrja duhet të jetë radikale. Ashtu sic u bë dhe po vazhdon të bëhet me ciklin e mishit, sikurse e kemi lajmëruar edhe më përpara do të ndërhyjmë në mënyrë po aq radikale edhe në ciklin e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit.

Duke marë shkas edhe nga raporti i AFI, i kemi kërkuar institucioneve tona, laboratorit të referencës të ISUV dhe AKU që të verifikojnë situatën e qumështit dhe të ndërtojnë mbi këtë bazë planin për garantimin e standarteve dhe sigurisë ushqimore për produktet me origjinë shtazore dhe jo vetëm,” shkruan Peleshi në Facebook/BalkanWeb

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com